Deri kur vetëdijësohemi ta mbrojmë e kujdesemi për pronën publike, për të mirën publike.
Në fotot dhe videon e bashkëngjitur shihni se si një qytetar i pandërgjegjshëm, thyen dhe shkul drunjtë e mbjellur në rrugën "Ahmet Kaçiku" në Ferizaj, rast për të cilën kemi njoftuar organet e sigurisë për hetimin e këtij rasti dhe procedimin e kryesit të këtij akti të shëmtuar e kriminal ndaj pronës publike.
Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin e i ftojmë që të denoncojnë raste të tilla ashtu që këta keqbërës të marrin dënimin e merituar.
Komuna e Ferizajt
Faqja zyrtare e Komunës së Ferizajt
26/06/2026
Në kuadër të Ditës Botërore kundër Përdorimit të Drogave u mbajt ligjëratë vetëdijësuese në Ferizaj
Me rastin e Ditës Botërore kundër Përdorimit të Drogave, ekipi i Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor nga QKMF, në bashkëpunim me DRKS të Komunës së Ferizajt, organizoi ligjëratën me temën: “Drogat – efektet, rreziqet dhe parandalimi”.
Gjatë ligjëratës u trajtuan rreziqet që sjell përdorimi i drogave, ndikimi i tyre në shëndetin fizik dhe mendor, pasojat në jetën sociale, si dhe rëndësia e parandalimit përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit.
Aktiviteti kishte për qëllim informimin e qytetarëve, me theks të veçantë të rinjtë, për rrezikun serioz që paraqet përdorimi i substancave narkotike dhe nxitjen e një stili jetese të shëndetshëm, larg varësisë.
Mesazhi kryesor i këtij aktiviteti ishte i qartë: Parandalimi fillon me informimin dhe ndërgjegjësimin.
Zgjidh jetën, jo drogat. E ardhmja jote vlen më shumë.
26/06/2026
Inspektorati i Komunës së Ferizajt vazhdon me shqiptimin e gjobave për hedhjen e mbeturinave
Inspektorati i Komunës së Ferizajt, gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, ka vazhduar aktivitetet e rregullta për identifikimin dhe gjobitjen e personave që hedhin mbeturina në vende të papërshtatshme.
Sipas udhëheqësit të Sektorit të Inspektoratit në Ferizaj, Feriz Hyseni, këto masa po ndërmerren me qëllim të rritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe parandalimit të krijimit të deponive ilegale të mbeturinave.
"Njëra nga gjobat është shqiptuar në rrugën Burrnik–Pleshinë, në fshatin Prelez i Jerlive te kryqëzimi i rrugëve “Astrit Bytyqi”, “Gjon Serreçi”, “2 Korriku”, ndërsa në rrugën “Enver Topalli" gjoba është shqiptuar për ndotje të rrugës, tha Hyseni.
Ai u bëri edhe një herë thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina në vende që nuk janë të destinuara për këtë qëllim.
Hyseni theksoi se Inspektorati do të vazhdojë me kontrollet, ndërsa të gjithë personat që ndotin hapësirat publike do të përballen me gjoba, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
26/06/2026
DREJTORIA PËR SHËRBIME PUBLIKE DHE EMERGJENCË
APEL PËR QYTETARËT
TË NDERUAR QYTETARË!
Kemi hyrë në sezonin e verës, periudhë gjatë së cilës fillon edhe fushata e korrje-shirjeve. Kjo periudhë pritet të karakterizohet me temperatura të larta, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në sipërfaqe të hapura, pyjore dhe fushore.
Me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.
APELOJMË
Të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes dhe vigjilencë maksimale, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Gjithashtu, në rast të vërejtjes së ndonjë zjarri, të bëjnë njoftimin dhe alarmimin me kohë pranë institucioneve përgjegjëse, si dhe, nëse kushtet e lejojnë dhe pa rrezikuar jetën e tyre, të kontribuojnë në përpjekjet fillestare për shuarjen e tij.
TË NDERUAR QYTETARË!
Çdo rast të zjarrit mund ta raportoni në:
Qendrën Operative Emergjente në Ferizaj, përmes numrit unik të emergjencës 112. Ky numër mund të thirret pa prefiks nga çdo pjesë e Komunës së Ferizajt.
Njësinë Profesionale të Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin 193 (telefon fiks ose celular). Thirrjet janë pa pagesë.
VËREJTJE
Zjarrvëniet e qëllimshme, si dhe zjarret e shkaktuara nga pakujdesia, përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Alberton Sahiti
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë
26/06/2026
Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi bashkë më anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur mbledhjen e rregullt.
Në këtë mbledhje drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka bërë propozim vendimin për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027-2029. Ajo para anëtarëve të KPF-së bëri të ditur se buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm arrin vlerën totale prej 56,102,329 euro. Nga kjo shumë, 15.2 milionë euro janë paraparë për investime kapitale, rreth 2.88 milionë euro për subvencione, 1.45 milionë euro për shpenzime komunale, 12.05 milionë euro për mallra dhe shërbime, ndërsa 24.51 milionë euro për paga dhe mëditje.
Anëtarët e KPF-së nuk patën ndonjë vërejtje apo sygjerim tek kjo pikë e rendit të ditës, ndërsa than se do të diskutohet në mbledhjen e Kuvendit të Komunës.
Ndërkaq drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës Alberton Sahiti, ka bërë propozim – vendimin për miratimin e Planit Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për Rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt.
25/06/2026
THIRRJE PËR APLIKIM – SKEMA E GRANTEVE “E ARDHMJA E SAJ”
Video informuese mbi Thirrjen për Aplikim nga Skema e Granteve
“E Ardhmja e Saj”
Skema e Granteve "E Ardhmja e Saj" – Faza I
Mundësia e aplikimit në kuadër të Fazës së Parë të Skemës së Granteve "E Ardhmja e Saj".
Kjo skemë synon të mbështesë vajzat dhe gratë ndërmarrëse të moshës 18–35 vjeç, të cilat kanë një ide biznesi ose dëshirojnë të nisin biznesin e tyre.
Projektet e përzgjedhura do të kenë mundësinë të përfitojnë:
- Trajnime Intensive
- Mentorim dhe konsulencë profesionale
- Set pajisjesh për t’a filluar biznesin tuaj
📌 Në video do të gjeni informacionet kryesore mbi kriteret e aplikimit, procesin e përzgjedhjes dhe mundësitë që ofron kjo skemë.
Afati mbi shprehje interesi osht nga 3 deri më 10 Korrik 2026
📄 Detajet e plota të Thirrjes për Aplikim, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni i nevojshëm janë të publikuara në:
Ueb faqja: https://projectherfuture.com/
Instagram: https://www.instagram.com/projectherfuture/
Facebook: https://www.facebook.com/share/197qDKpcuF/?mibextid=wwXIfr
📅 Mos e humbisni këtë mundësi për të investuar në të ardhmen tuaj dhe për ta kthyer idenë tuaj në një biznes të suksesshëm!
24/06/2026
NJOFTIM ZYRTAR
Për gratë dhe vajzat e Komunës së Ferizajt
Hapet regjistrimi për programet trajnuese të Fondacionit Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe Fondacionit Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan, dhe angazhimit të përbashkët për fuqizimin e grave dhe vajzave, i njoftojmë të gjitha gratë dhe vajzat e interesuara në Komunën e Ferizajt se janë hapur regjistrimet për programet dhe trajnimet profesionale të ofruara nga Fondacioni.
Qëllimi i këtyre programeve është fuqizimi ekonomik dhe social i grave dhe vajzave përmes zhvillimit të aftësive profesionale, rritjes së mundësive për punësim, si dhe mbështetjes së tyre në zhvillimin personal dhe ndërmarrës.
Programet trajnuese janë pa pagesë dhe përfshijnë fusha të ndryshme profesionale, të dizajnuara për të gjitha ato që dëshirojnë të përfitojnë njohuri të reja, të avancojnë aftësitë ekzistuese apo të krijojnë mundësi të reja karriere dhe vetëpunësimi, si:
* Pastiçeri
* Rrobaqepësi
* Manikyr dhe pedikyr
* Parukeri
* Gjuhë angleze
* Teknologji informative
* Grim
* Menaxhimi i ndërmarrjeve mikro dhe të vogla
Mënyrat e regjistrimit:
* Përmes aplikimit online: https://forms.gle/C9a5RrFaMxEsJjry8
* Duke paraqitur aplikimin në zyrat e Fondacionit Sheikha Fatima bint Mubarak për Gruan, Fushë Kosovë, Rruga “Nëna Terezë”, nr. 38
Ju ftojmë të mos e humbni mundësinë për të investuar në zhvillimin tuaj profesional dhe personal dhe për t’u bërë pjesë e programeve tona zhvillimore.
24/06/2026
REAGIM - Kur keqkuptimi i qëllimshëm shndrrohet në sulm të organizuar propagandistik
Ditëve të fundit, në disa kanale mediale në rrjete sociale, si dhe nga individë që përfaqësojnë ngjyrime politike të caktuara, janë lansuar dezinformata duke krijuar keqkuptim të qëllimshëm me synim zhvillimin e sulmit propagandistik ndaj Komunës së Ferizajt, referuar Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Ferizajt, veçanërisht në pjesën e lidhjes dhe menaxhimit të disa kontratave publike, ku plotësisht në interpretime të paqëndrueshme, joprofesionale e tendencioze, konkludohen tituj bombastik me qëllim që ta paraqesin një pasqyrë joreale për Komunën e Ferizajt.
Referuar lidhjes dhe menaxhimit të kontratave publike përkatëse - objekt keqkuptimi i qëllimshëm e sulmi nga këto kanale të rrjeteve sociale, bazuar në procedurat e prokurimit publik dhe sqarimit nga Zyra e Prokurimit sqarojmë opinionin publike se:
Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, Rregulloren A002 dhe Udhëzuesin 002/2024 për Prokurim Publik, planifikimi i prokurimit hartohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, respektivisht jo më vonë se 15 ditë pas miratimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nevojat dhe mjetet financiare që janë të njohura për vitin fiskal.
Njoftimi Paraprak për kontrata për punë përgatitet menjëherë pas vendimit që miraton planifikimin e kontratës përkatëse të punëve. Njoftimi paraprak mundëson AK të reduktoj afatet minimale kohore të tenderimit, në procedurë të hapur ose të kufizuar për dhënien e kontratave me vlerë të madhe, në jo më pak se 24 ditë (në vend të afatit minimal kohor të zakonshëm prej 40 ditëve).
Publikimi i Njoftimit Paraprak nuk e obligon AK të bëjë blerjen ose inicimin e aktivitetit nëse rrethanat ndryshojnë, ku në rastin konkret, gjashtë projektet në fjalë nuk kanë qenë të njohura dhe as të financuara në kohën e hartimit të planit të prokurimit, pasi marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me ministritë përkatëse janë arritur gjatë vitit buxhetor, pas përfundimit të planifikimit te prokurimit. Për këtë arsye, këto projekte nuk kanë mundur të përfshihen në planin e prokurimit.
Në rastin konkret, para arritjes së marrëveshjeve me ministritë nuk ka ekzistuar siguri mbi financimin dhe realizimin e projekteve, prandaj nuk kanë ekzistuar kushtet faktike për publikimin e njoftimit paraprak.
Për të gjitha këto projekte janë zhvilluar procedura të hapura të prokurimit në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregullat e KRPP-së. Njoftimet për kontratë janë publikuar në platformën e e-Prokurimit dhe kanë qëndruar të hapura për afatin ligjor prej 40 ditësh, duke siguruar transparencë të plotë, konkurrencë efektive dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik.
Prandaj, mos publikimi i njoftimit paraprak nuk ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të dispozitave ligjore, por si pasojë e faktit se projektet dhe financimi përkatës janë siguruar gjatë vitit fiskal. Në çdo rast, procedurat e prokurimit janë zhvilluar në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik, pa cenuar konkurrencën, transparencën apo trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomik dhe të gjitha këto procedura të prokurimit gjenden në platformën elektronike të prokurimit (E-Prokurim).
24/06/2026
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me dhembje e pikëllim të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të dalluar të arsimit, artit e kulturës si dhe sportit, bashkëqytetarit tonë, Qamil Bytyqi.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu përmes telegramit, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Bytyqi, bashkëveprimtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit.
"Me dhembje e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të hershëm e kontributplotë për artin e kulturën, arsimin e sportin në Ferizaj, bashkëqytetarit tonë të shquar, Qamil Bytyqi. Vepra e kontributi i tij do të mbeten trashëgimi e pasur e kujtesë ndër breza. Ngushëllime të sinqerta familjes Bytyqi, bashkëveprimtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit" mbyllet telegrami i ngushëllimit.
Click here to claim your Sponsored Listing.
Location
Category
Telephone
Website
Address
Ferizaj
70000
Opening Hours
| Monday | 08:00 - 16:00 |
| Tuesday | 08:00 - 16:00 |
| Wednesday | 08:00 - 16:00 |
| Thursday | 08:00 - 16:00 |
| Friday | 08:00 - 16:00 |
