Nertil Jole

Nertil Jole

Share

Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Nertil Jole, Rr. 28 Nëntori, Lagjja Nr.7, Korçë, Korçë.

19/06/2026

PROTESTA SI PASQYRË E DEMOKRACISË SHQIPTARE

Protesta që është duke u zhvilluar ka tërhequr vëmendjen e opinionit, mediave, si edhe të aktorëve politikë, si një ngjarje me dimension social e politik që po ndodh në një mjedis demokratik.

Si e drejtë kushtetuese, protestat marrin kuptim në çdo kohë, sepse shoqëria ka arsye gjithmonë për të protestuar, për të kërkuar zgjidhje sa më të mira e më të drejta për qytetarët. Shqipëria jonë e re, me përvojën e fituar përmes shumë vështirësive të tranzicionit dhe me mësimet nga e shkuara, na e bën më të lehtë deshifrimin e të vërtetave dhe të pavërtetave. Sigurisht, edhe me ndihmën e teknologjisë dixhitale, si mjet i dobishëm, por njëherazi shumë i rrezikshëm për shkak të algoritmeve pandemike që krijon. Viraliteti i tyre, në shumë raste, me apo pa ndihmën e inteligjencës artificiale, nxitet nga “dashamirës” dixhitalë, kombëtarë e të huaj.

Është fakt që vendi ynë nuk ka qenë asnjëherë sa sot në një pozitë më të lartësuar e më të faktorizuar ndërkombëtarisht. Kjo natyrshëm krijon pritshmëri të reja e të shtuara për qytetarët, jo vetëm në frymën e aspiratës për integrim formal në familjen e Bashkimit Europian, por edhe për mishërimin e standardeve që na ofrojnë siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Ky moment historik nuk ka mbërritur rastësisht, por falë përpjekjeve të gjata e jo të thjeshta. Shqipëria nga kjo protestë nuk po humbet. Përkundrazi, po fiton kthjelltësinë për të tejkaluar paradokset e veta, dijen për të adresuar me përgjegjësi sfidat e kohës, seriozitetin për të vlerësuar fenomenet me sy kritik e reformues, fuqinë për të konsoliduar demokracinë dhe institucionet, kulturën për të korrigjuar sjelljen dhe etikën, reflektimin për të shmangur mllefet e pakuptimta, dhe kurajon për të parakaluar rrezikun e përsëritjes së gabimeve të së shkuarës.

Dialogu në shoqëritë e emancipuara nuk fillon kur qëndrimet kthehen në ultimatume, por kur vullneti qytetar e kthen energjinë sociale të akumuluar prej pakënaqësive në një raport të përmirësuar me shtetin, apo anasjellas. Nëse produkti i kësaj proteste është linçimi i shqiptarëve nga vetë shqiptarët, ajo e ka humbur tërësisht qëllimin e saj, sepse përçarjet nuk e ndihmojnë perspektivën moderne të vendit. Por nëse protesta e konsideron hapësirën e dialogut mes palëve në funksion të forcimit të pozitës ekonomike e turistike të Shqipërisë, qytetarët shëndoshin, me këtë rast, edhe reputacionin e tyre në të ardhmen, si shenjë e maturisë kolektive në emër të progresit.

Progresi nuk mund të vijë nga cenimi i rregullave demokratike. Ato mbeten parime juridike e politike të pandryshueshme. Në këtë kuptim, të gjithë bashkërisht, brenda sistemit që kemi zgjedhur, mund ta mbrojmë të ardhmen nga hijet e së shkuarës, duke respektuar njëri-tjetrin dhe balancën demokratike, në çdo të tashme.

12/06/2026

Kontributet nuk mbarojnë me 35-vjetorin e Partisë Socialiste... 🇦🇱🌹
Gëzuar të gjithë socialistëve! 🙂

12/06/2026

🇦🇱🤝🇪🇺

09/06/2026

PËRTEJ PROTESTËS DHE HESHTJES

Kur optimizmi dhe shpresa për të ardhmen zgjoi vetëdijen e shoqërisë, shqiptarët protestuan duke shembur regjimin totalitar.

Ajo energji e madhe sociale fatkeqësisht shumë shpejt u shpërbë, sepse hija e të shkuarës qeverisi vendin, duke yshtur vetëm pak vite më pas një konflikt dramatik social me pasoja lënguese të stërzgjatura.

Dielli i Shqipërisë ka filluar të lindë andej nga perëndon, ndaj media ndërkombëtare si BBC, CNN, New York Times etj, pasqyrojnë kronika dhe editoriale të një realiteti të ri. Fakti që vendi është në vëmendjen e opinionit mediatik nga më të rëndësishmit, është efektivisht tregues i faktorizimit të tij.

Patriotizmi në jetën e përditshme, nga secili prej nesh, ka mundësi të përshfaqet në shumë forma. Nga mënyra si i qasemi njëri tjetrit në radhë të parë, deri te mënyra si respektojmë punën dhe detyrën, shtetin dhe përfaqesuesit, të cilët i kemi zgjedhur vetë. Heshtja e jo-protestuesve ka dy pjesë të kësaj kategorie. Në rastin konkret, ata që përqafojnë kërkesat apo synimet e pretenduara pa qenë të pranishëm në protestë. Dhe pjesa tjetër, në arsyetimin, vizionin dhe interesat e veta, duke mos qenë dakord.

Është e rëndësishme që të gjitha këto kategori, të respektojnë qasjen e njëra tjetrës. Intimidimi me motive patriotike të njërit grupim për një grupim tjetër, po merr një trajtë të panevojshme.

Vendosja në sfond të kërkesave të shprehura të këngëve ose shfaqejeve me kontekst patriotik të fillim shekullit të kaluar, është një dalje nga konteksti dhe aspak proporcionale me realitetin.

Shqipëria është prej shumë kohësh tashmë jashtë diskutimit për rrezikun e cënimit të integritetit territorial dhe është duke forcuar si asnjëherë më parë, në konceptin modern të fjalës, identitetin e vet kombëtar.

Duke thënë këtë, asnjëherë nuk duhet hequr nga vëmendja interesat jo miqësore, jo dashamirëse, konkurruese, me karakter socio-ekonomik dhe madje deri etnik, por mënyra e zgjidhjes së kontradiktave të këtij karakteri, nuk është vetëm manifestimi i simboleve kombëtare. Kam parasysh flamurin, shqiponjën me duar, këngët patriotike dhe përdorimin e emocioneve atdhetare.

E kundërta është ajo që këtë ballafaqim e përshtat me modernitetin e kohës. Pra, është përafrimi i interesave, qofshin edhe politike, në përpjekje të përbashkëta për forcim ekonomik, për ngritje të nivelit konkurrues brenda dhe jashtë vendit, dhe të një investimi jo vetëm shpirtëror nga gjithsecili prej nesh për përparimin e pakthyeshëm të vendit.

Në kohën që jetojmë, komunikimi në rrjetet sociale është bërë i zakonshëm dhe i nevojshëm, prandaj nuk duhet të lejojmë që përdorimi i tyre t'iu shërbejë ndasive në mesin tonë. Mund t'i shërbejë padyshim këmbimit të opinioneve, përvojave, ideve dhe rrahjes së mendimeve, por jo të jetë arenë virtuale e fyerjeve apo linçimeve të pashëndetshme.

Qasja ultimative ndaj problematikave që ka jeta jonë, vetëm sa cënon rregullat demokratike. Në sistemin shoqëror që bashkë prej 35 vitesh kemi zgjedhur, vullneti i gjithsecilit e përjashton ultimatumin dhe ne kemi marrë përsipër të gjithë së bashku që të korrigjojmë gabimet e së kaluarës, që kanë tentuar ta tjetërsojnë pikërisht këtë vullnet.

Demokracitë e konsoliduara janë të tilla, pikë së pari, pikërisht sepse kanë gjetur mekanizma dhe instrumente, që gjithnjë e më shumë kanë përjashtuar tendencat për deformime.

Shqipëria është e re, rritet mes vështirësish të trashëguara dhe nga ato që eventualisht krijohen nga vetë ne, nga qeverisja, nga opozita, nga media, nga politikat dhe detyra e vetme që i mbetet kësaj shoqërie, është që Shqipërinë ta bëjë gjithnjë e më moderne.

Së pari në mendësi. Në hapësira bashkëpunimi me vizion e në kontribute sa më të shtrira e produktive në çdo fushë të jetës.

Photos from Nertil Jole's post 04/06/2026

Kënaqësi të isha i ftuar në hapjen e ekspozitës “Drawing Life” në COD, pranë Kryeministrisë, event i veçantë artistik që solli për herë të parë në Shqipëri krijime të përzgjedhura të arkitektit dhe dizajnerit shumë të mirënjohur italian Gaetano Pesce, duke ofruar një përvojë unike që sfidon kufijtë mes artit dhe arkitekturës bashkëkohore.

Ekspozita të fton të reflektosh mbi mënyrën se si për autorin papërsosmëria mund të kthehet në gjuhë krijuese dhe filozofinë që ai vetë ilustronte duke u shprehur për krijimet e tij të pazakonta se: "Unë bëj anti-dizajn", si manifestim i një frymëzimi artistik me shije atipike.

28/05/2026

🌹 35 VJET PS Korçë 🇦🇱🤝🇪🇺

27/05/2026

Gëzuar e me fat Kurban Bajramin besimtarëve myslimanë!
Ju uroj shëndet, mirësi e begati në familjet tuaja, solidaritet me njëri-tjetrin, dashuri e paqe!

24/05/2026

TALENTI MICHAEL JACKSON

Nëse do më pyesnin se kush është për mua artisti më i madh i historisë së muzikës moderne, përgjigjja ime do të kishte qenë: Michael Jackson!

Këtë e rithem pasi ndoqa filmin biografik kushtuar atij, që po shfaqet rishtazi në Tiranë dhe në kinematë e gjithë botës, një realizim brilant dhe shumë emocionues. Nuk do të kishte qenë i tillë mendoj, nëse rolin e tij, në pamje të parë të "pamundur", nuk do ta luante shkëlqyer një artist që ka genet e tij, pikërisht nipi Jaafar Jackson, djali i vëllait të Michael, Jermaine Jackson, i cili në këtë aktrim sillte energjinë e tij të rrallë me një pamje dhe mimika shumë të ngjashme.

Filmi "Michael" kushtuar "Mbretit të Pop-it" është një histori prekëse njerëzore që hedh dritë mbi të shkuarën e tij të hershme, me fëmijërinë e vështirë për shkak të babait dhunues, me bandën "Jackson 5", ku performonte me vëllezërit e tij e kur që në moshën 5 vjeçare u bë i njohur nga 100 milionë njerëz. Deri te albumet solo më të sh*tura në historinë muzikore me rekorde absolute dhe koncertet me audienca gjigande në mbarë botën.

Nuk do përshkruaj filmin, të cilin do ua rekomandoja të gjithëve për ta parë. Por dua të evidentoj një anë tjetër të medaljes. Atë të botës së egër e të padrejtë që rrethon talentet e çdo fushe e në çdo epokë.

Ndoshta artistë të këtyre përmasave lindin vetëm një herë. Ata duket sikur kanë mundësuar një pakt sekret me Zotin apo Universin, dhe ne njerëzorët e tjerë sado të përpiqemi me forma çnjerëzore, kurrë nuk do mundemi të zhbëjmë gjurmën e dikujt që ka lindur për ta bërë botën më të bukur.

E kur të tilla talente lindin, ne të tjerët jemi thjesht fatlumë që kemi jetuar si bashkëkohës të tyre apo thjesht si njohës të ndikimit të tyre transformues me fuqinë e talentit.
Sistemi i vlerave apo mungesa e tyre në shoqëritë tona, që nga rrënjët familjare e deri te njerëzit që na rrethojnë, është i pranishëm përgjatë gjithë ciklit jetësor ku notojnë ndjenjat, ëndrrat, edukimi, fati, karriera dhe sfidat.

Arsyeja pse artistët e mëdhenj kanë bujarinë të ndajnë dhuntinë e tyre me njerëzit e botës nëpërmjet gjuhës universale të artit, është e lidhur edhe me zgjedhjen e natyrshme për të ndikuar njerëzimin falë fuqisë së talentit unik. Ata e pasurojnë atë me ngjyra të pazëvendësueshme dhe me kuptime e kujtime të përjetshme. Njëherazi, i bëjnë kontrast të keqes e të ligës, duke na dhënë shansin të bëjmë dallimin e qartë mes dy botëve.

Ikona e Michael Jackson frymëzon ende sot me shkëlqimin e dritës së talentit të tij të papërsëritshëm, dhe sa herë arti i tij i mrekullueshëm të dëgjohet e shijohet, aq herë do të na kujtojë se jeta është shumë shterpë pa artin dhe artistët e vërtetë.

Siç e ka thënë edhe ai vetë pak kohë përpara se të largohej nga jeta për të jetuar përgjithmonë, "Bota nuk do të kishte kaq shumë padrejtësi, krime, luftra e terrorizëm, nëse çdo fëmije nuk do i vidhej fëmijëria".

22/05/2026

ZGJEDHJET E PËRSËRITURA DHE NEVOJA PËR MATURI POLITIKE NË KOSOVË

Kosova po hyn për herë të tretë brenda 15 muajve në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Proceset zgjedhore kudo ku jetojnë shqiptarë kanë gjithmonë vëmendje, që sigurisht është e lidhur me çështjen dhe interesin kombëtar.

Zhvillimi aktual në Kosovë ka paralelisht dy pamje të rëndësishme.
Së pari, formalisht ai përbën një proces kushtetues që dëshmon se demokracia është funksionale në shtetin e ri të Kosovës, dhe kjo padyshim është e rëndësishme.
Nga ana tjetër, shfrytëzimi i vazhdueshëm i hapësirave kushtetuese dhe demokratike për procese të shpeshta zgjedhore reflekton paaftësinë e klasës politike për bashkëpunim dhe arritje me bazë konsensusi. Kjo situatë e tensionon klimën politike dhe cënon stabilitetin institucional, duke i vënë ato në funksion të interesave të ngushta politike dhe të pushtetit. Ndaj, parimi i sovranitetit nuk duhet të përdoret për të justifikuar bllokime të reja.

Ky aspekt i procesit natyrshëm ngadalëson ritmet e zhvillimit të vendit, veçanërisht perspektivën ekonomike, vë në diskutim të panevojshëm aftësinë e vazhdueshme shtetformuese të vetë klasës politike dhe shoqërisë në raport me partnerët ndërkombëtare, të cilët mbështesin përparimin e vendit dhe përfshirjen në organizmat ndërkombëtare.

Situata politike në këtë prag zgjedhjesh bëhet natyrshëm edhe më komplekse mbas përfundimit të gjykimit në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe pritjes së vendimit të shtyrë për në 20 Korrik. Rasti ka ndjeshmëri të lartë jo thjesht e vetëm për fatin dhe dinjitetin individual të ish-luftëtarëve dhe ish-drejtuesve të lartë të shtetit, që edhe kështu, për një opinion të gjerë, gjykohet tërësisht i padrejtë.

Në favor të këtij opinioni janë shumë deklarata, qëndrime apo edhe dëshmi para trupës gjykuese nga personalitete ndërkombëtare me përgjegjësi të larta politike e shtetërore në vendet e tyre, në periudhën e luftës. Është i konsoliduar me fakte mendimi se bëhet fjalë për akuza të pabaza, të fabrikuara nga qarqe pro serbe që synojnë të tjetërsojnë karakterin e luftës çlirimtare dhe rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke vënë në diskutim edhe nevojën e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për t'i dhënë fund genocidit serb ndaj shqiptarëve.

Në këtë atmosferë politike është detyrë e faktorëve politikë të kontribuojnë për forcimin e interesit kombëtar dhe garantimin e stabilitetit politik e institucional, duke u ngritur mbi interesat politike të momentit. Natyrisht, detyrimin për të ofruar kompromiset e nevojshme e ka forca e parë politike, sikurse partitë e tjera, aktualisht me peshë më të ulët elektorale, të cilat duhet të jenë bashkëpunuese e konstruktive pa vendosur kushte apo pengesa.

Balanca e raporteve partiake në parlamentin e Kosovës, nuk duhet të dhunojë standardin demokratik të pranimit të realitetit politik. Kur realiteti politik dikton domosdoshmërinë e kompromiseve politike për rrugëdalje nga krizat, ai duhet garantuar pa ego politike nga të gjithë aktorët. Kjo do tregonte maturi e që vendi ka hyrë në një fazë të re.

Fushata jo pak e polarizuar po evidenton problematika jo emancipuese për shoqërinë dhe shfaqje të protagonizmit për interesa pushteti, por trupa elektorale, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë kufijve, me vetëdijen kombëtare dhe votën e tyre do të duhet të shmangin përsëritjen e së njëjtës krizë.

Patriotizmi i zhurmshëm me mungesë respekti për shtetin dhe përgjegjësisë për institucionet, është minimalisht i pasinqertë. Më e keqe akoma është gjuha linçuese e dirigjuar nëpër rrjete sociale. Shteti nuk mund të zëvendësohet me vetveten.

Kosova e meriton të ardhmen europiane për qytetarët e saj, për të siguruar zhvillim demokratik, progres në çdo aspekt të zhvillimit të vendit dhe vazhdimësinë e mbështetjes nga partnerët euro-atlantikë, pa të cilët do "përfitonte" padrejtësisht Serbia.

15/05/2026

Kënaqësi të ritakohem në Tiranë me Guvernatorin e Rajonit Nordland të Norvegjisë, Tom C. Karlsen, dhe z. Marko Pukkinen, Guvernatorin e një prej 6 Rajoneve të Finlandës.

Takimet tona të para ishin gjatë “Ditëve Evropiane të Territoreve Shtetërore” në Malmö të Suedisë dhe Izmir të Turqisë, ku kemi diskutuar për tema lidhur me sfidat e përbashkëta europiane. Sot, edhe pse në një atmosferë më miqësore e joformale, ishte sërish një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer ide, për të forcuar lidhjet që lindin përmes bashkëpunimit, si edhe për të dëgjuar impresionet shumë pozitive që ata kishin krijuar nga qëndrimi në vendin tonë.

Marrëdhëniet dhe komunikimi i vazhdueshëm mbeten ura të rëndësishme për projekte e bashkëpunime të ardhshme.

Want your business to be the top-listed Government Service in Korçë?

Click here to claim your Sponsored Listing.

Location

Telephone

Website

Address


Rr. 28 Nëntori, Lagjja Nr.7, Korçë
Korçë
7001