22/06/2026
Kryetari Rexhepi dhe Kryesuesi Thaqi, pjesëmarrës në Konferencën vjetore të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore
Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Fejzullah Rexhepi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, po marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila këtë vit, po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup.
Konferenca dy ditore, e organizuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Institutin CEELI dhe Projektin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, ka mbledhur bashkë kryetarë të Gjykatave Supreme, gjyqtarë të lartë dhe ekspertë të drejtësisë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.
Gjatë punimeve të konferencës po diskutohen tema me rëndësi të veçantë për sistemet gjyqësore, përfshirë forcimin e besimit të publikut në gjyqësor, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, zbatimin e standardeve dhe jurisprudencës evropiane në sistemet kombëtare të drejtësisë, si dhe përdorimin aktual dhe të ardhshëm të inteligjencës artificiale në procedurat gjyqësore dhe administrimin e gjykatave.
Pjesëmarrja e krerëve të gjyqësorit, në këtë konferencë paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve më të larta gjyqësore të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë.
Në kuadër të sesioneve tematike, Kryetari Rexhepi dhe Kryesuesi Thaqi, do të kontribuojë në diskutimet që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, sfidat e pavarësisë institucionale, ndikimin e jurisprudencës së gjykatave evropiane në të drejtën kombëtare, si dhe mundësitë dhe sfidat që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale në funksion të rritjes së efikasitetit dhe qasjes në drejtësi.
Gjykata Supreme e Kosovës, me mbështetjen e Institutit CEELI, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID-it dhe INL-së, ishte nikoqire e edicionit të 14-të të Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, të mbajtur në vitin 2024. Organizimi i kësaj konference si dhe pjesëmarrja e tanishme e kryetarit Rexhepi dhe Kryesuesit Thaqi, në këtë ngjarje me rëndësi, dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të sistemit gjyqësor të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e kapaciteteve institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/22/kryetari-rexhepi-dhe-kryesuesi-thaqi-pjesemarres-ne-konferencen-vjetore-te-kryetareve-te-gjykatave-supreme-te-evropes-qendrore-dhe-lindore/
15/06/2026
Gjykata Supreme aprovon kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe pezullon procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas kërkesës për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit dhe padisë së parashtruar nga paditësja V.Z. nga Vitia, kundër të paditurës Policia e Kosovës, pas seancës së kolegjit të mbajtur më 15 qershor 2026, ka aprovuar si të themeltë kërkesën për caktimin e masës së posaçme të sigurimit.
Me aktvendimin PA.nr.16/2026, ndalohet ekzekutimi i zbatimit të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, të nxjerrë nga Policia e Kosovës. Po ashtu, pezullohet procedura e gradimit sipas Konkursit për Gradim të datës 28 maj 2026, e shpallur mbi bazën e dispozitave të kontestuara, deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Supreme lidhur me këtë çështje juridike administrative.
Paditësja V.Z., nga Vitia, më 10 qershor 2026, ka paraqitur në Gjykatën Supreme padi për shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht të nenit 7 paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policor, duke kërkuar njëkohësisht caktimin e masës së posaçme/të përkohshme të sigurimit.
Paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë në procesin e gradimit, pasi mundësojnë që zyrtarët policorë me së paku dhjetë (10) vite përvojë aktive në Policinë e Kosovës, të cilët nuk kanë përfituar gradim gjatë kësaj periudhe, t’i nënshtrohen një procedure të veçantë gradimi dhe të aplikojnë për fitimin e dy gradave më të larta njëherazi, pa iu nënshtruar kufizimeve që lidhen me kohëzgjatjen minimale të qëndrimit në gradën paraprake. Sipas saj, një rregullim i tillë krijon avantazh për një kategori të caktuar zyrtarësh policorë në raport me ata që kanë kaluar nëpër procedurat e rregullta të gradimit dhe kanë ushtruar detyrat, përgjegjësitë dhe përvojën profesionale të lidhura me gradat përkatëse.
Po ashtu, paditësja ka pretenduar se dispozitat e kontestuara mund të cenojnë strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës, pasi u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në gradën e Rreshterit të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita mbikëqyrëse. Sipas pretendimeve të paditëses, kjo mund të ndikojë në funksionimin e sistemit të gradimit, disiplinës organizative dhe menaxhimit të personelit policor.
Pas shqyrtimit të kërkesës, pretendimeve të palës paditëse, provave të paraqitura dhe dispozitave ligjore të zbatueshme, Gjykata Supreme vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me nenin 100 të Ligjit nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative për caktimin e masës së posaçme të sigurimit.
Gjykata konstatoi se paditësja ka ngritur pretendime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara, duke përfshirë pretendimet për tejkalim të autorizimit ligjor, cenim të parimit të meritokracisë, ndikim në hierarkinë dhe zinxhirin komandues, si dhe mungesë proporcionaliteti dhe arsyetimi.
Në vlerësimin paraprak të kërkesës, Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit të bazuara në to. Gjykata vlerësoi gjithashtu se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtyre dispozitave nuk cenon rëndë interesin publik, ndërsa është në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Duke pasur parasysh se procedura e gradimit është iniciuar mbi bazën e dispozitave që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe se përfundimi i saj para vendosjes meritore do të mund të krijonte pasoja të pakthyeshme, Gjykata konsideroi se ruajtja e gjendjes ekzistuese përmes masës së posaçme të sigurimit është e nevojshme deri në vendimin përfundimtar.
Gjykata Supreme thekson se vendimi për caktimin e masës së posaçme të sigurimit është marrë në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon vendimmarrjen përfundimtare lidhur me themelësinë e padisë për shfuqizimin e pjesshëm të dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026.
Vendimi përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara do të merret pas shqyrtimit të plotë të çështjes në procedurën gjyqësore përkatëse.
Linku i aktvendimit:https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__16_26_SQ.pdf
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/15/gjykata-supreme-aprovon-kerkesen-per-mase-te-perkohshme-te-sigurimit-dhe-pezullon-proceduren-e-gradimit-ne-policine-e-kosoves/
15/06/2026
Vazhdimi i takimit të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës's Zoom Meeting
Enjoy the videos and music you love, upload original content, and share it all with friends, family, and the world on YouTube.
15/06/2026
Takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës
Enjoy the videos and music you love, upload original content, and share it all with friends, family, and the world on YouTube.
12/06/2026
Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e anëtares së KQZ-së lidhur me votimin me dokumente të skaduara
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Violeta Salihut, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.19/2026.
Me vendimin e PZAP-së, të datës 5 qershor 2026, ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke u anuluar vendimi i KQZ-së Nr. 01/1198/2026 i datës 3 qershor 2026, për lejimin e votimit në përfaqësitë diplomatike me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës, me afat të skaduar të vlefshmërisë.
PZAP kishte vlerësuar se KQZ-ja nuk kishte autorizim ligjor që, përmes një vendimi administrativ, të lejonte votimin me dokumente të skaduara, pasi neni 90 i Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon shprehimisht paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit për ushtrimin e së drejtës së votës, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike.
Kundër këtij vendimi, anëtarja e KQZ-së, Violeta Salihu, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi i KQZ-së kishte për qëllim garantimin e ushtrimit efektiv të së drejtës kushtetuese të votës për qytetarët e regjistruar për votim jashtë vendit dhe se PZAP kishte interpretuar gabimisht dispozitat ligjore përkatëse.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dispozitave ligjore në fuqi, Kolegji i Gjykatës Supreme, konstatoi se ankesa është e palejuar për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv procedural të parashtrueses.
Gjykata theksoi se e drejta për paraqitjen e ankesës kundër vendimeve të PZAP-së është e rregulluar shprehimisht me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se një anëtar individual i KQZ-së nuk gëzon të drejtë të pavarur procedurale për të ushtruar mjete juridike në emër personal kundër vendimeve të PZAP-së, përderisa nuk është palë e drejtpërdrejtë në procedurë dhe nuk dëshmon cenimin e një interesi juridik personal e të drejtpërdrejtë.
Sipas vlerësimit të Kolegjit, KQZ-ja ushtron kompetencat e saj si organ kolegjial, ndërsa pjesëmarrja e anëtarëve në procesin e vendimmarrjes nuk krijon automatikisht cilësinë e palës në procedurën gjyqësore dhe as të drejtën për të vepruar individualisht në emër të institucionit.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se vendimi i PZAP-së nuk prodhon pasoja juridike të drejtpërdrejta ndaj statusit, të drejtave apo detyrimeve individuale të ankueses, por ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë së një vendimi institucional të KQZ-së.
Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës Supreme vendosi ta hedhë poshtë ankesën si të palejuar, pa u lëshuar në shqyrtimin meritor të pretendimeve lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar të PZAP-së.
Linku i aktgjykimit:https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_26_2026_SQ.pdf
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/12/gjykata-supreme-hedh-poshte-ankesen-e-anetares-se-kqz-se-lidhur-me-votimin-me-dokumente-te-skaduara/
12/06/2026
Refuzohet ankesa e LVV-së lidhur me përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me shqiptimin e gjobës në shumën prej 6,000 euro, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme, të mbajtura më 7 qershor 2026.
PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor 2026 në Podujevë dhe Lipjan. Pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të nenit 5 paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV pretendon se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar.
Gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se qëllimi i nenit 5 paragrafi 3 është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata.
Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme.
Për këto arsye, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje si të pabazuar.
Linku i aktgjykimit:https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_25_2026_SQ.pdf
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/12/refuzohet-ankesa-e-lvv-se-lidhur-me-perfshirjen-e-te-miturve-ne-aktivitete-zgjedhore/
11/06/2026
⚖️Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ për xhamat e errët të automjeteve, për shkak të mungesës së bazës ligjore
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, me objekt shqyrtimi të ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, pas shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur më 4 qershor 2026, ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e paditësve.
Me aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, ndërsa ka refuzuar kërkesëpadinë lidhur me paragrafin 2 të të njëjtit nen.
Gjykata ka konstatuar se Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, legjislacioni në fuqi parashikon mundësinë e modifikimeve në automjete, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve të përcaktuara me ligj.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Gjykata vlerësoi se këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë.
Po ashtu, Gjykata konstatoi se paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm.
Në vendimin e saj, Gjykata ka theksuar se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime apo kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore. Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodhen në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik.
Ndërkaq, sa i përket paragrafit 2 të nenit 7, Gjykata ka gjetur se ai përbën një dispozitë administrative dhe teknike që rregullon evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit dhe nuk vendos kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin. Për këtë arsye, kjo dispozitë ka mbetur në fuqi.
🔗Linku i aktgjykimit:https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__10_2026_SQ.pdf
🔗Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/11/gjykata-supreme-shfuqizon-pjeserisht-dispozitat-e-udhezimit-administrativ-per-xhamat-e-erret-te-automjeteve-per-shkak-te-mungeses-se-bazes-ligjore/
10/06/2026
Gjykata Supreme lë në fuqi vendimin e PZAP-së për gjobitjen e LVV-së lidhur me pjesëmarrjen e një të miture në fushatë zgjedhore
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
PZAP, me vendimin ZP.Anr.11/2026 të datës 03.06.2026, kishte pranuar si të bazuara ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi” (IKD), duke i shqiptuar subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) gjobë në lartësi prej 5.100 (pesëmijë e njëqind) euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije në aktivitet të fushatës zgjedhore.
Kundër këtij vendimi, LVV kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pathemeltë.
Nga provat e administruara rezulton se më 31.05.2026, gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar nga LVV në Vushtrri, një vajzë e mitur 10-vjeçare kishte dalë në skenë dhe kishte recituar para pjesëmarrësve të tubimit, e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik. Ankesat e paraqitura në PZAP kishin pretenduar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në një aktivitet të organizuar zgjedhor përbën angazhim të një personi nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore, në kundërshtim me rregullat zgjedhore në fuqi.
Në procedurën para PZAP-së, LVV kishte pretenduar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ishte angazhuar nga subjekti politik dhe se iniciativa për paraqitjen e saj kishte ardhur nga vetë ajo, në prani të prindit të saj.
Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara. Kolegji i Gjykatës pranoi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke theksuar se neni 5 paragrafi 3 i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fshehtë të Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar përcakton se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore”.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse iniciativa për pjesëmarrjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, si dhe nuk ka rëndësi nëse ka pasur koordinim apo planifikim paraprak. Fakt përcaktues është se organizatori i aktivitetit ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një fëmije në një aktivitet zgjedhor, në kundërshtim me ndalimin e paraparë në rregulloren zgjedhore.
Gjykata theksoi se organizatori i tubimit ka përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve. Në rrethanat e rastit konkret, e mitura kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetin zgjedhor, fakt i mbështetur edhe nga provat e administruara në lëndë.
Duke pasur parasysh qëllimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj, ndaj refuzoi ankesën e LVV-së si të pathemeltë duke lënë në fuqi vendimin e PZAP-së.
Linku i aktgjykimit:https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_24_2026_SQ.pdf
Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/10/gjykata-supreme-le-ne-fuqi-vendimin-e-pzap-se-per-gjobitjen-e-lvv-se-lidhur-me-pjesemarrjen-e-nje-te-miture-ne-fushate-zgjedhore/
04/06/2026
⚖️Gjykata Supreme dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbajnë takim ndërinstitucional për avancimin e praktikave gjyqësore dhe prokuroriale
Nën organizimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot po mbahet takimi ndërinstitucional i krerëve të gjyqësorit dhe prokurorisë, i fokusuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me paraburgimin, sekuestrimin dhe konfiskimin, si dhe në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, si dhe Ambasadorit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Në fjalën e tij, Kryetari Rexhepi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional ndërmjet gjyqësorit dhe prokurorisë për garantimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ai vlerësoi se forumet e përbashkëta profesionale krijojnë mundësi për identifikimin e sfidave praktike, shkëmbimin e përvojave dhe gjetjen e zgjidhjeve që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së vendimmarrjes.
Duke falënderuar OSBE-në dhe ambasadorin McGurk, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë gjyqësorit, kreu i Supremes vlerësoi se “përmes dialogut profesional dhe koordinimit institucional sigurojmë zbatim më të njëtrajtshëm të ligjit, respektim të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe forcim të pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë”.
Gjyqtarët e Gjykatës Supreme prezantuan të gjeturat nga punëtoritë e zhvilluara me gjykatat themelore dhe Gjykatën e Apelit, duke vënë në pah sfidat dhe praktikat e identifikuara në trajtimin e rasteve të paraburgimit.
Në vazhdim u diskutuan aspektet e përgjithshme të paraburgimit, me fokus në zbatimin e standardeve ligjore dhe jurisprudencës relevante, pasuar nga një diskutim i hapur ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse.
Pjesa e dytë e takimit iu kushtohet çështjeve të sekuestrimit dhe konfiskimit, ku do të trajtohen problematikat e identifikuara në praktikë.
Nga ky takim, pritet të nxirren konkluzione dhe rekomandime konkrete për avancimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale, duke riafirmuar përkushtimin e institucioneve të drejtësisë për bashkëpunim të vazhdueshëm në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
🔗Linku i komunikatës: https://supreme.gjyqesori-rks.org/2026/06/04/gjykata-supreme-dhe-zyra-e-kryeprokurorit-te-shtetit-mbajne-takim-nderinstitucional-per-avancimin-e-praktikave-gjyqesore-dhe-prokuroriale/
04/06/2026
Sqarim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin në rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë elektrike
Prishtinë, 4 qershor 2026 - Gjykata Supreme e Kosovës informon opinionin publik se raportimet sipas të cilave “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim”, nuk i referohen aktgjykimit të Gjykatës Supreme me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Për sqarim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një aktvendim tjetër të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte hedhur poshtë si e palejueshme padia e një paditësi, me arsyetimin se akti i kontestuar nuk përmbante elementet e një akti nënligjor normativ dhe, rrjedhimisht, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e tij në procedurë administrative.
Linku i aktvendimit të kthyer në rivendosje:
🔗https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__24_2025_SQ.pdf
Ndërkaq, aktgjykimi i Gjykatës Supreme P.A.nr.18/2025, i cili ka të bëjë me kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), mbetet një çështje e veçantë dhe nuk është objekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të cilin po raportohet.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e OEK-së dhe kishte:
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017;
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.
Linku i aktgjykimit:
🔗https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__18_2025_SQ.pdf
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata Supreme kishte konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Sipas vlerësimit të gjykatës, kjo situatë e bënte të domosdoshme ndërhyrjen gjyqësore për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike, si dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Për hir të informimit të drejtë, të saktë dhe të plotë të opinionit publik, ju ftojmë që ta publikoni këtë sqarim.
Për më tepër, bashkëngjitur gjeni komunikatën lidhur me aktgjykimin P.A.nr.18/2025:
🔗 https://supreme.gjyqesori-rks.org/2025/11/17/ne-mbrojtje-te-konsumatoreve-gjykata-supreme-shpalle-te-paligjshme-dhe-shfuqizon-nene-te-udhezuesit-per-liberalizimin-e-tregut-te-energjise-elektrike/