19/06/2026
Në Komunën e Skenderajt, u mbajt dialogu lokal për diskutimin e shërbimeve të riintegrimit për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, në bashkëpunim me OSBE-në.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballen viktimat pas largimit nga strehimoret, si vështirësitë ekonomike, sociale, psikologjike dhe nevoja për mbështetje ligjore e institucionale. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e fuqizimit të mekanizmave lokalë për të siguruar riintegrim të qëndrueshëm.
Në këte dialog ishin të përfshirë Përfaqësues të Zyres Komunale për Barazi Gjinore, zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale si dhe përfaqësues nga OSBE.
Si rekomandime kryesore u propozuan rritja e trajnimeve profesionale, ofrimi i mbështetjes psikologjike dhe sociale, zhvillimi i programeve edukative, fuqizimi ekonomik i viktimave, sigurimi i banimit social dhe përforcimi i kapaciteteve të mekanizmit koordinues komunal. Takimi përfundoi me dakordimin se mbështetja për viktimat duhet të jetë e vazhdueshme dhe e koordinuar për të mundësuar riintegrimin e tyre të suksesshëm në shoqëri.
19/06/2026
Sot me datë 19.06.2026 në sallën e bordit të drejtorëve është mbajtur mbledhja e dytë e Komitetit për Politikë dhe Financa, e udhëhequr nga Kryesuesja znj. Adelina Spahiu-Alija.
Në mbledhje morën pjesë drejtorët e drejtorive si dhe anëtaret e komitetit, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Fjala hyrëse
2. Miratimi i rendit të ditës
3. Shqyrtimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar
4.Shqyrtimi i Kornizës Afatmesme të Buxhetit 2027-2029 dhe Raporti mbi ecurinë e dëgjimeve buxhetore për KAB-in
5. Raporti vjetor i punës i Ndërmarrjes Publike Lokale “Eko Natyra” për vitin 2025 (pikë shtesë)
5. Të ndryshme
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash, duke kaluar për miratim në Kuvendin Komunal.
19/06/2026
18 Çaste të 18 Qershorit 🇽🇰🇦🇱
18/06/2026
Sot, në 27-vjetorin e Çlirimit të Skenderajt, kujtojmë me krenari edhe një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, 36 vjetorin e formimit të njësitit të parë gueril, të udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, me emrin "Ushtria e Kosovës" në vitin 1990.
Ky moment, që shënon fillesat e organizimit të rezistencës së armatosur për lirinë e vendit, u paraqit sot gjatë Akademisë Përkujtimore nga profesori i historisë Sabit Syla, i cili solli fakte dhe dëshmi që ndriçojnë një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Në këtë ditë të madhe për Kosovën, përulemi me nderim para veprës së Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë, të cilët me guximin, sakrificën dhe luftën e tyre bënë realitet ëndrrën shekullore për një Kosovë të lirë.
Lavdi e përjetshme heronjve të kombit! Qoftë i përjetshëm kujtimi për veprën e tyre dhe amaneti për ta ruajtur e forcuar Kosovën për të cilën ata dhanë gjithçka!
18/06/2026
Në mbyllje të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit dhe Përkujtimit të Dëshmorëve në Komunën e Skenderajt, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport udhëhequr nga znj. Kosovare Ahmeti, organizoi koncertin festiv “LIRIA KA EMËR” në ambientet e Sallës së Kulturës “Hasan Prishtina”.
Në këtë mbrëmje përmbyllëse u paraqitën Ansambli vendas “Drenica” dhe Ansambli “Kastriotët” nga Ferizaj, të cilët me interpretimet e tyre sollën një atmosferë festive dhe njëkohësisht përkujtimore, duke shpalosur vlerat e trashëgimisë sonë kulturore dhe duke nderuar sakrificën për liri përmes artit dhe këngës.
Ky program artistik shënoi edhe kulmin dhe përmbylljen e një sërë aktivitetesh të organizuara gjatë ditës, duke i dhënë një dimension të veçantë kulturor dhe emocional shënimit të Ditës së Çlirimit.
Në mbyllje të kësaj dite të veçantë ishin të pranishëm Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, drejtorë të drejtorive, deputetë, përfaqësues të OVL UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, zyrtarë komunalë, anëtarë të Kuvendit Komunal dhe qytetarë të shumtë, të cilët patën mundësinë t’i shohin nga afër këto pika artistike të veçanta.
18/06/2026
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Skenderajt, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z.Sami Lushtaku, u mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe të gjithë atyre që me sakrificën e tyre bënë të mundur lirinë që gëzojmë sot.
Në një atmosferë dinjitoze dhe plot respekt, të pranishmëve iu drejtuan me fjalët e tyre Kryetari i Komunës së Skenderajt, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, z. Sami Lushtaku, Dr. i shkencave të historisë Sabit Syla, përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, z. Xhavit Jashari, si dhe znj. Sumeja Kodra, vajza e komandantit Ilaz Kodra.
Përmes kumtesave dhe kujtimeve të ndara në këtë akademi, u rikujtua rrugëtimi i lavdishëm i popullit tonë drejt lirisë, duke nderuar me përulësi sakrificën e dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të tyre.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe nderim i përhershëm për veprën e tyre!
18/06/2026
Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve, Drejtoria Komunale e Arsimit, e udhëhequr nga drejtori Kastriot Duraku, organizoi Parakalimin e Nxënësve me Veshje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Sheshin “Adem Jashari” dhe Garën e Vizatimit me temën “Liria dhe Paqja”.
Parakalimi i nxënësve përfaqësoi një aktivitet simbolik që solli në vëmendje sakrificën dhe rrugën e lavdishme të çlirimit të vendit, ndërsa përmes garës së vizatimit nxënësit shprehën kreativitetin e tyre duke përcjellë mesazhe për lirinë, paqen dhe të ardhmen e vendit.
Këto aktivitete u përcollën nga afër nga Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, nënkryetari, z. Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit Komunal znj. Adelina Spahiu-Alija, të cilët panë angazhimin e nxënësve dhe përkushtimin e institucioneve arsimore në edukimin e brezit të ri me vlerat e lirisë, paqes dhe respektit për historinë e vendit.
18/06/2026
Sot, Komuna e Skenderajt shënon Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve e cila filloi me homazhe përkujtimore në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe vazhduan në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, ku u vendosën kurora lulesh dhe u bënë nderime pranë varreve të të rënëve për liri.
Më pas, në kuadër të shënimit të kësaj dite të rëndësishme, u mbajt Seanca Solemne e Kuvendit Komunal, e cila filloi me intonimin e Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës. Seanca u udhëhoq nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Adelina Spahiu-Alija, ndërsa me një fjalë rasti u drejtua Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, i cili vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit, në fshatin Çirez u zhvillua ceremonia e zbulimit të shtatoreve të dëshmorëve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi.
Vepra dhe sakrifica e dëshmorëve Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi zënë një vend të veçantë në historinë e përpjekjeve për liri. Zbulimi i shtatoreve të tyre përbën një akt të rëndësishëm mirënjohjeje dhe respekti institucional e qytetar për kontributin e tyre në luftën çlirimtare, duke shërbyer njëkohësisht si kujtesë e përhershme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm mbi çmimin e lirisë.
Dita e Çlirimit mbetet një ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Ajo na kujton sakrificën sublime të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përulja dhe respekti ndaj veprës së tyre mbeten obligim i përhershëm institucional dhe qytetar, në mënyrë që kujtesa historike dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua liria jonë të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi.
Në këto aktivitete nderimi e përkujtimi morën pjesë Kryetari i Komunës, z. Sami Lushtaku, Nënkryetari z. Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Adelina Spahiu-Alija, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, deputetë, gjeneralë dhe veteranë të luftës, përfaqësues të OVL UÇK-së, qytetarë dhe familjarë të dëshmorëve.
16/06/2026
Agjenda e aktiviteteve për Ditën e Çlirimit dhe Përkujtimit të Dëshmorëve
16/06/2026
Kryetari i Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Kosovare Ahmeti, kanë pritur sot kampionët e Kosovës në futsall, KF Drenicën.
Me këtë rast, kryetari Lushtaku i përgëzoi për suksesin e arritur dhe titullin e kampionit, duke vlerësuar angazhimin, përkushtimin dhe punën e tyre. Ai uroi që sukseset e klubit të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme nga Komuna e Skenderajt për sportin dhe talentet vendore.
KF Drenica u falënderua për përfaqësimin dinjitoz të Skenderajt dhe për promovimin e vlerave sportive në nivel vendi.